TETOVË, 12 mars /ATSH-MIA/ – Lëkurat e përpunuara të kafshëve, maskat dhe kambanat, këto janë sinonim i karnavaleve të përvitshme ilire, që zhvillohen në Bozovcë të Malësisë së Sharrit, në Tetovë. Banorë të veshur me xhup lëkure të përpunuar, maska në fytyrë dhe kambana, dalin rrugëve të fshatit për të frikësuar dhe larguar të keqen nga fshati dhe për t`i uruar mirëseardhje stinës së re. Kjo traditë ka filluar shumë vite më parë, por viteve ’80, u ndërpre dhe për dy dekada nuk u zhvillua. Nga viti 2008 ato u riaktivizuan sërish, kësaj radhe ende më e fuqishme, që ka ndikuar për të sjellë në Bozovcë të malësisë së Sharrit, edhe studiues të albanologjisë dhe etnologjisë nga universitetet e Prishtinës dhe Tiranës. Këto karnavale janë zhvilluar edhe në disa fshatra të tjerë të malësisë së Sharrit, por tradita është harruar dhe zhdukur.
Ballina Bota













