TIRANË, 8 Mars /ATSH- I. Vata/ – Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, dua t’u uroj të gjitha vajzave dhe grave sa më shumë suksese dhe lumturi për veten e tyre dhe fëmijët, u shpreh sot Kryetari i PD-së Lulzim Basha, duke uruar gratë për 8 marsin.
Në një deklaratë për media kushtuar grave, Basha sjellë dhe problemet që kanë sot gratë në Shqipëri, si kushtet e vështira ekonomike, dhuna apo problem i ndihmës ekonomike.
“Sot disa prej grave dhe vajzave janë kënaqur me një lule, disa të tjera janë ngritur në protestë për më shumë të drejta. Ka gra që i kanë folur publikut nga konferenca luksoze, por ka shumë edhe nga ato gra që janë pa asnjë ndihmë” tha ai.
Më tej, Basha shprehet se “Sot me mendje jam me të gjitha nënat që nuk kanë me çfarë ushqejnë fëmijët e tyre. Në mendje kam çdo nënë dhe grua që nuk ia del dot të mbyllë muajin, çdo grua që dhunohet, çdo grua që fle dhe zgjohet me brengën për fëmijën e paushqyer!”
“Çdo dhimbje e tyre është motiv për mua që të bëj gjithçka për ta ndryshuar këtë realitet!”, thekson në fund Basha. /e.caushi/























