TIRANË, 7 Mars /ATSH- I. Vata/ – Situata e përmbytjeve në Shkodër mbetet e pa ndryshuar, ndërsa Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytja.
Në një postim në statusin e saj Facebook, ministrja Xhaçka shprehet se “ Gjendja në nënshkodër mbetet kryesisht e pandryshuar dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë vijojnë të mbeten në terren, pranë komunitetit, me mjete të larta dhe ujore, kryesisht në fshatin Obot”.
Situata e përmbytjeve në Shkodër vazhdon të jetë e njëjtë dhe niveli i ujit është në rritje, ç’ka ka vendosur të gjithë strukturat në gatishmëri për të përballuar situatën, deklaroi sot për ATSH, prefekti i qarkut Shkodër, Çesk Millja.
I pyetur në lidhje me situatë e përmbytjeve në Shkodër, Millja shprehet për ATSH se, “aktualisht uji ka zotëruar 1666 ha në zonën e nënshkodrës, ku në zonën e Bushati ujë ka përmbytur 321 ha, në Dajç 330 ha, në Anën e Malit 1000 ha, Guri i Zi, 5 ha”.
“Në pjesën e Anës së Mali, uji është afruar afër shtëpive të banorëve, ndërsa në fshatin Obot një pjesë e segmentit rrugor është mbuluar nga ujë dhe lartësia është mbi 1 metër, ndërsa Forcat e Armatosura po operojnë me mjete të larta për transportin e banorëve”, tha Millja.
Më tej, prefekti i Shkodrës, shprehet se po punohet në bashkëpunim me bashkinë dhe strukturat e tjera për të përballuar situatën.
“Një natë më parë jemi mbledhur duke vlerësuar situatë, kemi ndarë detyra për zhbllokimin e rrugëve dhe ardhjes së banorëve në ndihmë. Po ashtu situata është e vështirë, por jo në kushtet e situatës së jashtëzakonshme” tha prefekti.
I pyetur se në se situate është në tendencë përkeqësimi, prefekti Millja shprehet se shkarkimet e Hidrocentraleve janë të të monitorueshme dhe të kontrolluara, por sa jemi njoftuar se Komisioni i Shkarkimeve të Hidrocentraleve, ka vendosur të nisin shkarkimet për shkak të prurjeve të mëdha dhe të sigurisë së digave.
“Ne vazhdojmë të jemi në gatishmëri për të përballuar situatën e përmbytjeve, kemi bashkëpunim më të gjitha institucionet dhe po monitorojmë situatën në çdo hapësirë të Shkodrës”, ritheksoi ai./e.caushi/











