TIRANË, 7 Mars /ATSH- I. Vata/- Partia Demoratike është aleate e Kremlinit dhe Lulzim Basha duhet të japë llogari para shqiptarëve për lidhjet e tij me Rusinë, ka deklaruar sot Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Tauland Balla.
Në deklaratën për mediat, Balla tha se prej disa muajsh kemi denoncuar transfertat e paligjshme që Partia Demokratike ka bërë në fushatën zgjedhore për lobimin në SHBA, para zgjedhjeve të 2017.
“Deklaratat e regjistruara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë dëshmojnë se foto e Bashës me presidentin Trump dhe mbështetja e një numri kongresmenësh në prag zgjedhjesh i ka kushtuar Partisë Demokratike qindra milion euro, prejardhje e së cilave nuk është bërë e ditur nga kryetari i PD-së Lulzim Basha”, tha ai.
Më tej, Balla shton se “Megjithatë, një investigim prej një nga mediat më prestigjoze në SHBA, Mother Jones ka nxjerrë në dritë të dhëna që përbejnë një skandal të rëndë të cilat lidhin Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën me Rusinë. Sipas këtij investigimi të bazuar tashmë në dokumente zyrtare të DAD, Nick Muzin, lobusi kryesor i demokratëve në SHBA është paguar jo vetëm nga PD me fatura të bëra publike, por dhe nga një kompani fantazmë e regjistruar në Skoci e quajtur “Biniatta Trade””.
“Kontrata e firmosur në DAD nuk lë fakt për dyshime, kompania ka paguar 250 mijë dollarë dhe në vijim dhe tre këste me nga 150 mijë dollarë dhe si kapar 500 mijë dollarë dhe në total, 1 milion dollarë ka paguar kjo kompani”, tha ai.
Më tej ai tha se “Investigimi i “Mother Jones” tregon se pronarët e vërtetë të “Biniatta Trade” janë dy shtetas rusë. Evgeni Sheremetijev, njëri prej ortakëve, ka të regjistruar në Rusi një kompani shërbimesh ligjore dhe një numër kompanish të tjera shërbimesh. Të dhënat tregojnë se ai, duke shfrytëzuar lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin, ka fituar një numër tenderash të qeverisë ruse. Pra “shërbimet e tij ligjore” janë pajtuar nga vetë qeveria ruse, duke sjellë për Sheremetijevin përfitime të jashtëzakonshme. Ortaku i dytë quhet Konstandin Ferulev, gjithashtu pronar i një numri kompanish në Rusi. Reporteri amerikan tentoi të shkonte në zyrën e tij të regjistruar në një qiellgërvishtës në Moskë, por zbuloi se ajo mund të aksesohej vetëm përmes një hyrje private”.
“Por, kjo nuk është e gjitha. Të dy këta biznesmenë të fuqishëm rusë, me kompani të regjistruara në parajsat fiskale, kanë ngritur partneritete të tjera edhe me personazhe të tjerë të lidhur drejtpërsëdrejti me Kremlinin. Njëri prej ortakëve të tyre quhet Leriam Dvorkin, një shtetas rus me banim në San Françisko, por që në jetëshkrimin e tij të pasur përfshin edhe shumë vite punë në pozicione drejtuese të kompanisë së gazit dhe naftës “Gazprom”. Për të gjithë ata që nuk e dinë, “Gazprom” është një kompani e kontrolluar drejtpërsëdrejti nga shteti rus. Një tjetër partner është 35-vjeçari, Juri Ivanov, me banim në Shën Petersburg, edhe ai një personazh i lidhur me politikën në Rusi”, shpjegon Balla.
Balla sqaron se investigimi i mediave amerikane, tregon se pronarët e vërtetë të kësaj kompanie janë dy rus. “Përballë kësaj qëndrojnë dy hipoteza, që PD ka detyrimin ligjor dhe moral para shqiptareve. Hipoteza e parë, që parat për lobimin në SHBA nuk janë paguar nga PD, por nga Moska dhe nëse kjo është e vërtetë do të përbënte një precedent të vërtetë të ndërhyrjes së Kremlinit në politikën shqiptare. Hipoteza e dytë, parat janë paguar nga Partia Demokratike, por që janë përdorur nga biznesmenët rus për të fshehur prejardhjen e tyre. Nëse edhe kjo është e vërtetë, atëherë PD duhet të jap shpjegime se si i ka vendosur një parti shqiptare kontakte të drejtëpërdrejta me njerëz të besuar të qeverisë ruse, por mbi të gjitha PD duhet tu përgjigjet shqiptareve se çfarë interesash kanë biznesmenët me lidhje deri te presidenti Putin që të përfshihen në beteja politike të një vendi të vogël aq larg sferës interesit të Shqipërisë, siç është Shqipëria anëtare e NATO-s” shprehet Balla .
Çfarë u ka premtuar Lulzim Basha rusëve, qoftë për mbështetje ekonomike apo politike?
Balla shton se “Kjo që ka ndodhur sot dhe ka një nevojë për përgjigje është e paprecedent në Shqipëri në një vend anëtare të NATO-s. Mediat ndërkombëtare prej kohesh kanë raportuar ndërhyrje të Rusisë në Ballkan. Moska ka shtrirë tentakulat e veta në vendet fqinje, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe kjo tashmë është e ditur për të gjithë. Por me sa duke Shqipëria nuk paska qene kaq imune me shtrirjen e interesave që nuk përbejnë asgjë me të ardhmen tonë, euro-atlantike ku shqiptarët aspirojnë”.
“Po jua tregoj, thekson Balla, se PD është një aleate besnike e Kremlinit në vendin tonë, për të gjitha këto i bëjë thirrje Lulzim Bashës të jap llogari para shqiptarëve”./e.caushi/











