Ballina Kosova

Apostolova: Mos e humbni rastin nesër

PRISHTINË, 27 Shkurt/ATSH/.- Shefja e BE-së për Kosovën, Nataliya Apostolova tha sot se vizita e zyrtarëve të BE-së nesër në Kosovë do të jetë e rëndësishme për Kosovën, pasi ata do të pohojnë të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ajo përmendi me këtë rast marrëveshjen e dy presidentëve, atë të Kosovës dhe Malit të Zi, dhe konsensusin mes partive politike për demarkacionin.

“Dua të them se jemi afër që ta zgjidhim këtë çështje. Është e rëndësishme që ratifikimi të bëhet nesër. Sepse do të jetë hap i rëndësishëm në rrugën e liberalizimit. Kosova duhet ta vazhdojë rrugën kundër krimit dhe korrupsioni. Por ratifikimi na ofron më afër liberalizimin. Deputetët duhet të mendojnë për qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës. Dëshirojmë që me liberalizimin të arrijmë që Kosova të jetë një vend më i mirë. Të gjitha partitë në Kuvend nuk duhet ta humbin rastin nesër. Mos e humbni rastin”, tha Apostolova, pas takimit me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Ndërsa kryetari i Kuvendit tha se Kosova është e orientuar nga BE-ja 100 për qind.

“Ne do të vazhdojmë dhe të jeni të sigurt që do të përmbushim çdo kriter që del nga BE-ja. Liberalizimi duhet të ndodh dhe ratifikimi i marrëveshjes do të votohet. Kosova dhe qytetarët e vet kanë nevojë për një lajm të mirë dhe ne do ta sjellim këtë lajm të mirë nesër për të votuar marrëveshjen. Ratifikimi jep sinjal të qartë për perspektivën drejt BE-së”, tha Veseli.

Ai tha se kanë bërë shumë për të arritur konsensusin, ndërsa kërkoi nga spektri politik që nesër të jenë unik./KosovaPress//m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakÇfarë duhet të bëni për sëmundjet kronike në mot të ftohtë
Artikulli tjetërTOKIO – Japonia detekton një shkelje të sanksioneve kundër Phenianit