Ballina Lajme nga Vendi

Programi “Junior Ranger” shtrihet edhe në fshatin Rrajcë

TIRANË, 26 Shkurt / ATSH / – Administrata e Zonave të Mbrojtura (AdZM) Elbasan,  në vazhdim të zhvillimit të  programit “Junior Ranger” ka përzgjedhur 2 shkolla, njëra nga të cilat është shkolla 9-vjeçare e fshatit Rrajcë Bardhaj “Beqir Halili” , një fshat që është listuar te “100 fshatrat” dhe ndodhet në Parkun Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”.

Grupi i kësaj shkolle përbëhet prej 12 nxënësish të klasave 8 dhe 9 që, duke u njohur me gjeografinë e zonës së tyre, me rëndësinë e rojes mjedisore dhe me rëndësinë turistike të këtij parku, do të stërviten në programin “Junior Ranger”.

Rrajca është zonë e mbrojtur, e cila ndodhet në qarkun e Elbasanit.

Është e vendosur në  në shpatin verilindor të malit të Shebenikut ku gjendet kompleksi i cirqeve akullnajore të Rrajcës.

Aty gjenden katër liqene akullnajore, të cilët përbëjnë një atraksion natyror për t’u vizituar.

Këto liqene kanë një gjatësi mesatare prej 100 metrash dhe një gjerësi mesatare prej 80 metrash. Ato gjenden të vendosura në lartësinë 2.200 metra mbi nivelin e detit dhe vizitohen nga kuriuozët e lartësive.

Për të arritur në këto liqene, duhet ndjekur rruga automobilistike e asfaltuar Përrenjas- Rrajcë dhe më pas, nga fshati Rrajcë për tek liqenet rruga bëhet në këmbë.

Nxënësit u njohën  edhe me mënyrën e administrimit e menaxhimit të Zonave të Mbrojtura, dhe  rolin dhe përgjegjësitë e stafit të administratës së Zonave të Mbrojtura(AdZM). /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFarat Chia, të çmuara për organizmin tonë
Artikulli tjetërVanity Fair: Tirana, e re, e lirë dhe e egër