ROMË, 16 korrik /ATSH-ANSA/ – Duke filluar nga 3 gushti, “Fleets”, historitë e përkohshme që zgjasin 24 orë, nuk do të jenë më të dukshme në Twitter.
Eksperimenti i pasuksesshëm do t’i lërë vendin Spaces, bisedave audio të lindura si rezultat i suksesit të madh të shkarkimeve të Clubhouse, rrjeti social i bashkëbisedimeve me përdoruesit e tjerë vetëm përmes zërit.
“Fleets” ishte përpjekja e Twitter për t’iu afruar audiencave të Instagram, me një format të ngjashëm me “Stories”, i shpikur nga Snapchat, për të lejuar postimin e përmbajtjes që zhduket pas një dite.
Përveç konfirmimit të lamtumirës për Fleets, me sa duket Twitter po punon edhe në një përditësim të cicërimave tradicionale, të cilave priten t’u shtohen opsionet e redaktimit, formatimit të tekstit dhe imazheve në formatin GIF në fotot e ngarkuara nga përdoruesit./ /ervo/
