Agjencia Telegrafike Shqiptare

Zhupa kërkon mbledhje urgjente për trajtimin e të miturve gjatë protestave dhe paketën e masave të qeverisë

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka kërkuar thirrjen e një mbledhjeje urgjente për të trajtuar çështjen e të miturve të përfshirë në protestat e ditëve të fundit, si dhe për të shqyrtuar paketën e masave të propozuara nga qeveria.

Në një postim sot në rrjetet sociale, Zhupa publikoi kërkesën e depozituar në Kuvend, të cilën e ka paraqitur në cilësinë e nënkryetares së Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”.

Në kërkesën e saj, deputetja shpreh shqetësimin për atë që e cilëson si ushtrim dhune ndaj të miturve nga punonjës të Policisë së Shtetit. Ajo i referohet gjithashtu deklarimeve të ministrit të Brendshëm, sipas të cilit, deri më 30 tetor, janë shoqëruar në polici 269 persona nën moshën 18 vjeç.

“Asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë dhunën e paligjshme ndaj një të mituri apo cenimin e garancive që legjislacioni shqiptar dhe konventat ndërkombëtare i njohin atij”, shprehet Zhupa.

Një tjetër çështje që, sipas saj, duhet të jetë në fokus të diskutimeve është paketa e re e masave të qeverisë, përfshirë aktin normativ për tubimet dhe përgjegjësinë financiare të prindërve për dëmet e shkaktuara nga të miturit.

Zhupa i cilëson këto masa antikushtetuese dhe kërkon që ato të shqyrtohen në këndvështrimin e interesit më të lartë të fëmijës, individualizimit të përgjegjësisë dhe proporcionalitetit.

“E drejta kushtetuese e protestës nuk mund të bëhet objekt penalitetesh dhe ushtrimi dhune vetëm sepse nuk i pëlqen Edi Ramës”, përfundon reagimin e saj deputetja e PD-së.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version