TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Trupa teatrale e shkollës 9-vjeçare “Andon Xoxa” në Fier është kthyer me tre vlerësime të rëndësishme nga Festivali Teatror Ndërkombëtar i Fëmijëve në Gjuhën Shqipe, i zhvilluar në Zagreb, Kroaci.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se nxënësit fierakë u vlerësuan për interpretimin e dramës “Gjaku i arbrit”, duke fituar mes çmimeve të tjera edhe dy çmimet e para për aktoren më të mirë, Ema Mëngjezi, dhe aktorin më të mirë, Edlin Dhefto.
Trupa teatrore është drejtuar nga mësuesja Laureta Janollari, nën udhëheqjen e së cilës nxënësit prezantuan në skenën e Zagrebit gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare.
Në reagimin e saj, ministrja Kumbaro vlerësoi talentin dhe përkushtimin e nxënësve, mësueses dhe gjithë trupës teatrale, duke e cilësuar këtë sukses si një tjetër arsye për krenari.
Tre vlerësimet e marra në këtë festival ndërkombëtar përbëjnë një arritje të rëndësishme për shkollën “Andon Xoxa” dhe promovimin e kulturës shqiptare përtej kufijve.
/a.f/r.e/
