Agjencia Telegrafike Shqiptare

Zëvendësimi i parasë fizike, Sejko: U kursen qytetarëve mbi 500 milionë lekë e bizneseve rreth 1 miliard lekë në vit

Banka e Shqipërisë organizon konferencën e 8-të ndërkombëtare mbi skemat rajonale të kartave dhe infrastrukturat e tregut financiar me vlerë të vogël

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Shqipëria pritet të bëjë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës së pagesave, përmes projektit rajonal TIPS Clone, i cili do të mundësojë kryerjen e transfertave të fondeve në kohë reale, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh gjatë konferencës së 8-të ndërkombëtare mbi skemat rajonale të kartave dhe infrastrukturat e tregut financiar me vlerë të vogël, që Banka e Shqipërisë organizon sot dhe nesër në Tiranë, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Shoqatën Evropiane të Pagesave me Kartë, se kjo infrastrukturë pritet të vihet në funksion brenda këtij viti, duke u ofruar qytetarëve disponueshmëri të menjëhershme të parave dhe bizneseve arkëtime më të shpejta e administrim më efikas të likuiditetit.

“Lidhur me përfitimet ekonomike të TIPS Clone, sipas një studimi të përbashkët të Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë, përdorimi i pagesave elektronike, i mbështetur nga infrastruktura e pagesave të menjëhershme, mund të gjenerojë deri në 38.7 miliardë lekë kursime në vit, ose rreth 1.5% të PBB-së. Ndërkohë, zëvendësimi i gjysmës së pagesave të faturave me para në dorë me pagesa elektronike mund t’u kursejë konsumatorëve mbi 500 milionë lekë dhe bizneseve rreth 1 miliard lekë në vit”, theksoi Sejko.

Ai tha se vlera e kësaj infrastrukture shkon përtej shpejtësisë së një transferte. “Ajo krijon mundësi për shërbime të reja, zgjeron përdorimin e pagesave elektronike dhe mbështet digjitalizimin e aktivitetit ekonomik. Bashkëpunimi me Bankën e Italisë dhe partnerët evropianë në këtë nismë është i rëndësishëm edhe për afrimin e rajonit me infrastrukturat dhe standardet e Bashkimit Evropian”.

Në këtë aktivitet, i pari i këtij lloji që zhvillohet në Shqipëri, morën pjesë 260 përfaqësues të autoriteteve publike, bankave qendrore, institucioneve financiare dhe industrisë së pagesave nga 85 vende të botës.

Guvernatori Sejko theksoi se zhvillimi i pagesave duhet të sjellë përfitime më të gjera për shoqërinë, duke evidentuar progresin e shënuar gjatë dekadës së fundit në modernizimin e tregut shqiptar të pagesave.

Sipas tij, numri i pagesave digjitale për frymë në Shqipëri ka arritur në 29 në vit, nga 5 që ishte një dekadë më parë, ndërsa ritmi i rritjes së tyre është rreth 25% në vit. Kartat në qarkullim kanë arritur në 1,6 milionë dhe, gjatë vitit 2025, për herë të parë, ato u përdorën më shumë për pagesa sesa për tërheqje të parasë fizike.

Sejko u ndal edhe te anëtarësimi i Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke e cilësuar atë një arritje të rëndësishme për integrimin financiar evropian. Falë këtij anëtarësimi, transfertat në euro drejt vendeve pjesëmarrëse kushtojnë deri në 20 herë më pak krahasuar me periudhën para anëtarësimit, ndërsa kursimet e pritshme për ekonominë shqiptare vlerësohen në mbi 71 milionë euro në vit.

Këto përfitime, sipas Guvernatorit, mbështesin tregtinë, lehtësojnë dërgimin e remitancave dhe nxisin përdorimin e kanaleve formale në ekonomi.

Ai theksoi gjithashtu se zhvillimi i shërbimeve digjitale duhet të shoqërohet me forcimin e qëndrueshmërisë operacionale, mbrojtjen ndaj kërcënimeve kibernetike, sigurinë e të dhënave dhe parandalimin e mashtrimeve. Në këtë drejtim, edukimi dhe përfshirja financiare mbeten thelbësore për të garantuar që shërbimet e reja të jenë të kuptueshme dhe të përdorshme nga të gjitha grupet e shoqërisë.

Në kuadër të konferencës, Guvernatori Sejko zhvilloi edhe një takim me drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, e shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të institucionit.

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, veçanërisht mbështetja për realizimin e projektit TIPS Clone dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Shqipëri. Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të asistencës teknike në fusha si mbikëqyrja bankare dhe për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan progresin e Shqipërisë në modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe integrimin financiar evropian, duke veçuar arritjet në kuadër të anëtarësimit në SEPA, avancimin e projektit TIPS Clone dhe përfundimin me sukses të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP).

Ata përgëzuan gjithashtu Bankën e Shqipërisë për hartimin dhe miratimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ në përputhje me standardet evropiane, si bazë për transformimin e mëtejshëm të sistemit financiar shqiptar.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version