Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tarran: Lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave kërkon bashkëpunim ndërinstitucional

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një seminar kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe ekspertëve nga Kroacia dhe Greqia.

Në hapje të aktivitetit, ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit financiar.

“Asnjë institucion nuk mund ta luftojë i vetëm korrupsionin dhe pastrimin e parave”, u shpreh Tarran, duke nënvizuar angazhimin e Prezencës së OSBE-së për të afruar institucionet, për t’i mbështetur me ekspertizë dhe asistencë teknike, si dhe për të nxitur shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare.

Gjatë seminarit, Ana Trstenjak, zëvendësdrejtore e Zyrës së Kroacisë për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe Michail Throuvalas, major në Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar të Policisë Greke, ndanë përvojën e vendeve të tyre në hetimin e rasteve konkrete dhe mësimet e nxjerra.

Diskutimet u përqendruan te nevoja për bashkëpunim në çdo fazë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit financiar, nga identifikimi i transaksioneve të dyshimta deri te gjurmimi dhe konfiskimi i pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Seminari synoi të krijojë mundësi për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare dhe njohjen me praktikat e vendeve të tjera, me qëllim luftën më efektive kundër krimit financiar dhe mbrojtjen e parave publike.

/gj.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version