TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Ka nisur ndërtimi i pedonales së re në Lezhë, një investim prej 62 milionë lekësh nga buxheti i Bashkisë, i cili synon krijimin e hapësirave të reja rekreative për qytetarët dhe turistët.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale pamje nga punimet për pedonalen e re, e cila pritet të përfundojë brenda verës së ardhshme dhe t’i japë qytetit më shumë gjallëri e mundësi për aktivitete në natyrë.
“Zhurma dhe rrëmuja e së shkuarës nuk mund ta ndalin punën për Shqipërinë e së ardhmes”, shkruan Koçiu.
“Pedonalja e re në Lezhë, një tjetër investim konkret që së shpejti do të gumëzhijë nga zërat e fëmijëve, shëtitjet e familjeve dhe hapat e mijëra turistëve që zgjedhin çdo vit bukuritë e këtij qyteti”, thekson ajo.
Sipas zv.kryeministres, projekti parashikon krijimin e një hapësire moderne me gjelbërim dhe ambiente rekreative, që do të kontribuojë në gjallërimin e qytetit dhe ndërthurjen e jetës së përditshme të banorëve me zhvillimin e turizmit.
Pedonalja e re synon të transformojë këtë zonë në një hapësirë të aksesueshme për të gjitha grupmoshat, duke krijuar mundësi për shëtitje, aktivitete rekreative dhe ndërveprim social.
Krahas këtij projekti, Bashkia Lezhë ka parashikuar edhe investime të tjera në infrastrukturë dhe hapësira publike në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Ndërhyrjet synojnë përmirësimin e infrastrukturës urbane, shtimin e hapësirave të gjelbra dhe krijimin e ambienteve të reja në funksion të komunitetit.
Përmes këtyre investimeve, Lezha synon të përmirësojë cilësinë e jetesës së banorëve dhe të zhvillojë hapësira urbane më funksionale, në shërbim të komunitetit dhe turizmit.
Përfundimi i pedonales së re parashikohet për verën e ardhshme.
/a.f/r.e/
