Agjencia Telegrafike Shqiptare

DANIMARKË – Studentët i bashkohen protestave evropiane kundër shkurtimeve në arsim

KOPENHAGË, 4 nëntor /ATSH-AFP/ – Mijëra studentë dhe të rinj danezë dolën sot në rrugët e Kopenhagës për të protestuar kundër planit të qeverisë për reduktimin e bursave studentore.

Nën sloganin “Mjaft është mjaft”, 11 organizata studentore marshuan nga sheshi i Bashkisë drejt Parlamentit, duke kundërshtuar shkurtimet që synojnë të lirojnë fonde për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.

Protestat, të cilat nisën në Francë, janë përhapur javët e fundit edhe në vende të tjera evropiane.

Sipas organizatorëve, rreth 40 mijë studentë në 57 shkolla në Danimarkë morën pjesë në grevë, ndërsa 12–13 mijë protestuan në Kopenhagë.

Demonstrata u zhvillua në mënyrë paqësore, por me prani të shtuar të policisë.

Studentët mbanin pankarta me mbishkrime si “Shpëtoni SU-në”, “Më pak mbështetje, më pak arsimim” dhe “Mos i mashtroni të rinjtë”, duke akuzuar qeverinë se po cenon mundësitë e tyre për arsimim.

Plani i qeverisë parashikon heqjen e bursës SU për studentët që jetojnë me prindërit, nëse të ardhurat vjetore të familjes tejkalojnë 700 mijë korona daneze, rreth 104 440 dollarë.

Për familjet me të ardhura nga 419 589 deri në 700 mijë korona, ndihma do të reduktohet gradualisht.

Sipas Ministrisë së Arsimit të Lartë, rreth 14 mijë studentë pritet ta humbasin plotësisht bursën, ndërsa 8 mijë të tjerë do të përfitojnë shuma më të ulëta.

Sistemi SU, i krijuar në vitin 1970, është një nga shtyllat e modelit danez të arsimit dhe synon t’u mundësojë të rinjve të studiojnë pavarësisht të ardhurave të prindërve.

Aktualisht, studentët që jetojnë me familjen marrin 1 154 korona daneze në muaj, ndërsa ata që jetojnë më vete përfitojnë 7 426 korona.

Qeveria ka propozuar gjithashtu kufizimin e përfitimeve të papunësisë për të sapodiplomuarit, duke i lidhur ato me kushtin që studentët të kenë punuar gjatë të paktën 18 prej 24 muajve të fundit të studimeve.

Studentët e konsiderojnë këtë politikë një goditje ndaj mbështetjes ekonomike për të rinjtë. /Ad.Ab./

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version