SHKODËR, 3 nëntor /ATSH/ Punimet për ndërtimin e strehës së re për qentë endacakë në Shkodër janë në fazën përfundimtare. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili publikoi pamje nga ambientet e reja.
Sipas tij, aktualisht po përmbyllen punimet rrethuese dhe vendosja e dyerve të kafazeve.
Struktura e re do të përfshijë edhe një klinikë veterinare, ku do të ofrohen shërbime për kujdesin shëndetësor, trajtimin dhe sterilizimin e qenve.
Nisma synon të përmirësojë menaxhimin e pranisë së qenve endacakë në hapësirat publike, si dhe të garantojë kushte më të mira për kujdesin ndaj tyre.
Kryetari i Bashkisë e cilësoi projektin një hap të rëndësishëm drejt një qyteti më të sigurt dhe trajtimit dinjitoz të kafshëve.
