Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ibrahimaj: Shqipëria 2030, lider dhe referencë për përdorimin e IA në administratën publike

TIRANË, 2 nëntor /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi se inteligjenca artificiale (IA) do të shtrihet në të gjitha hallkat e administratës publike, me synimin që Shqipëria deri në vitin 2030 të bëhet lider dhe referencë në përdorimin e kësaj teknologjie në sektorin publik.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Ibrahimaj bëri të ditur se prej disa muajsh ka nisur puna për integrimin e inteligjencës artificiale, jo vetëm në shërbimet ndaj qytetarëve dhe bizneseve, por edhe në proceset e brendshme të administratës shtetërore.

Ibrahimaj theksoi se puna ka nisur me dy komponentë të parë, që lidhen me hartimin e dokumenteve ligjore dhe përgatitjen e hapave për projektimin e buxhetit.

Sipas Ibrahimajt, synimi nuk është vetëm prodhimi i dokumenteve përmes inteligjencës artificiale, por krijimi i agjentëve që do të mbështesin proceset e politikëbërjes, duke shfrytëzuar të dhënat e administratës publike.

Ibrahimaj nënvizoi se kjo teknologji do të mundësojë edhe kryerjen e analizave të thelluara në kohë më të shkurtër, duke ndihmuar në rritjen e efikasitetit të administratës.

“Përdorimi në çdo hallkë të administratës publike i inteligjencës artificiale do të bëjë që ne të kemi një administratë më inteligjente dhe më eficiente”, tha Ibrahimaj.

/e.i/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version