Agjencia Telegrafike Shqiptare

KIEV – Zelensky: Marrëveshja Trump-Putin për naftën “e padrejtë dhe jo e ndershme”

KIEV, 10 tetor /ATSH -AA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të hequr sanksionet ndaj Rusisë dhe për t’i lejuar asaj të eksportojë naftë dizel është i “padrejtë dhe jo i ndershëm”

Në një intervistë për Axios, Zelensky tha se marrëveshja “duket si një dhuratë e bukur për ditëlindjen e Putinit”, duke se “duket absolutisht e tmerrshme”.

Zelensky tha se disa ditë më parë kishte biseduar me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff, për përpjekjet për të arritur një përparim diplomatik përpara dimrit dhe zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

“Steve propozoi të takoheshim në Florida. Dhe, natyrisht, pranova të shkoja atje dhe të flisnim për mundësitë e negociatave. Amerikanët thanë se kishin disa ide dhe ne ramë dakord të shkonim për t’i diskutuar”, tha ai.

Zelenskyy tha se të dërguarit amerikanë Witkoff dhe Jared Kushner nuk e përmendën një marrëveshje të mundshme për naftën dizel me Rusinë gjatë bisedimeve të tyre. Ai tha se kishte kuptuar që të dërguarit do t’i përcillnin Moskës mesazhet nga bisedimet në Florida dhe më pas mund të udhëtonin drejt Kievit për të negociuar një marrëveshje paqeje.

Dje, Putin dhe Trump biseduan përmes telefonit. Trump e përshkroi bisedën si një “diskutim shumë të suksesshëm”.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se bisedimet rezultuan në një marrëveshje që Rusia të “furnizojë menjëherë” tregjet amerikane dhe globale me më shumë se 300.000 tonë naftë dizel.

Ai tha se në nëntor do të furnizoheshin edhe 500.000 tonë të tjera, të ndjekura nga 1 milion ton dhe 3 milionë tonë shtesë “brenda një periudhe të shkurtër”, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse të naftës dizel.

Putini tha se furnizimi i tregjeve amerikane dhe globale me naftë dizel nga Rusia do të ishte në dobi të ekonomisë botërore.

Ai tha se të dy liderët diskutuan për sektorin global të energjisë, perspektivat për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, situatën në Iran dhe marrëdhëniet dypalëshe.  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version