TIRANË, 30 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po përgatitet për mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian brenda fundit të këtij viti.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila po zhvillon një vizitë në Tiranë në kuadër të turit ballkanik, kryeministri Rama konfirmoi vullnetin e Shqipërisë për të ecur para me të gjitha detyrimet që burojnë nga procesi i integrimit europian.
“Në vizitën në Tiranë të Presidentes dhe të delegacionit të saj ka shumë përmbajtje pozitive në raport me të gjithë objektivat e përbashkët që kemi. Dua të konfirmoj edhe një herë publikisht vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e një procesi që tanë ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Po përgatitemi për të filluar nga mbyllja e kapitujve së shpejti, konkretisht para fundit të këtij viti”, tha Rama.
Ndërkohë, Kryeministri theksoi se vitin e ardhshëm do të vazhdohet intensivisht me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve tanimë të hapur.
Rama u ndal te Plani i Rritjes, ku theksoi se Shqipëria ka arritur të kapë disa objektiva jashtëzakonisht ambicioz.
“Plani i rritjes është një nga risitë e mandatit të saj të dytë. Një risi që për rajonin ka ardhur si një mbështetje shumë e madhe, jo thjesht në aspektin financiar, por mbi të gjitha në aspektin e atij që quhet tanimë si një integrim gradual, pa pritur që gjithçka të vijë në fund të procesit”, shtoi Rama.
/r.e/
