TIRANË, 7 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në qytetin e Fierit.
Rama tha se jemi të vendosur për të vijuar përpjekjen tonë për t’i dhënë fund statusit të “të huajit” në Evropë, e t’i japim Shqipërisë statusin e qytetarisë së barabartë evropiane.
“Ne jemi ndër popujt më të vjetër të këtij kontinenti, ne na e ka caktuar Zoti na e ka shkruar fati ynë që të jemi këtu dhe me zakon ne kemi qenë dhe jemi evropianë, por nga ana tjetër ne kemi qenë dhe ende jemi të huaj për Evropën dhe kjo është arsyeja pse ne, unë, ju, të gjithë ne së bashku jemi të vendosur që ta vazhdojmë përpjekjen tonë, sepse ne duam t’i japim fund statusit të të huajit në mes të Evropës dhe t’i japim Shqipërisë dhe fëmijëve të saj statusin qytetarisë së barabartë evropiane”, tha Rama.
Sa i përket investimeve në qarkun e Fierit, Rama tha “mund të flisja shumë gjatë për çfarë kemi bërë për Fierin, mund të flisja shumë gjatë për sesi një qytet, një bashki tërësisht e braktisur dhe e harruar si Roskoveci, është bërë një shëmbëlltyrë krenarie për mirëqeverisjen dhe për transformimin e jetës së një komuniteti të tërë.
Mund të flisja shumë gjatë sesi ne jemi përpjekur dhe sesa shumë kemi bërë për gjithë këtë qark edhe për Mallakastrën, po Patosin, pa diskutim për Lushnjën dhe Divjakën, por të gjitha këto ju i dini, ju i prekni të gjitha këto, ju kanë sjellë edhe në këtë shesh se janë të gjitha ato që ju kanë mbushur me besimin për të vazhduar këtë rrugë edhe më të shumë, edhe më të bashkuar së bashku”, shtoi Rama.
Rama shtoi më tej se “sot dua t’i drejtohem barrës suaj, barrës suaj të madhe si kryeqyteti i socialistëve, dua t’i drejtohem përgjegjësisë tuaj të madhe si qendra e gravitetit të partisë sonë, nga ku duhet të shpërndahet në të gjithë qarkun dhe gjithë Shqipërinë fryma e papërmbajtshme e një fitoreje të paparë deri më sot”, tha Rama.
/r.e/a.f/
