TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Komisioni i Konkurrencës, vendosi nën hetim paraprak Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Sipas njoftimit për shtyp të Komisionit të Konkurrencës, “vendimi për hetimin u mor nisur nga ankesat e paraqitura pranë Autoritetit të Konkurrencës, mbi rritjen e çmimit të paketave me pagesë nga ndërmarrja Vodafone Albania sh.a., si dhe të ankesave në vijim gjatë vitit 2024 për ndërmarrjen One Albania sh.a”.
Autoriteti realizoi një monitorim në këtë treg. Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit, u konstatua se sjellja e ndërmarrjes Vodafone Albania sh.a dhe One Albania sh.a në tregun me pakicë të shërbimeve celulare mund të përbëjë kufizim të konkurrencës referuar Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Në përfundim, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania sh.a dhe One Albania sh.a. Ndërkohë, ky hetim do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janari 2022 deri në 31 dhjetor 2024. /j.p/r.e/
