Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përshpejtimi digjital dhe i gjelbër për SME-të, mbahet në Tiranë dialogu i parë i Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Nën përfaqësimin e zëvendësministres Blerta Rama, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në bashkëpunim të ngushtë me OECD (Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), organizoi Dialogun e Parë të Rajonit të Ballkanit Perëndimor me temë “Zhvillimi dhe financimi i teknologjisë digjitale në kuadër të Tranzicionit Digjital dhe të Gjelbër të SME-ve”.

Ky aktivitet u  organizua në kuadër të projektit të financuar nga OECD dhe Republika e Kroacisë “NVM-të dixhitale dhe të gjelbra: Përshpejtimi i tranzicionit digjital dhe të gjelbër në Ballkanin Perëndimor”.

Eventi bëri bashkë përfaqësues të nivelit të lartë të OECD-së, përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, përfaqësues të BERZH, përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues nga institucionet shqiptare të lidhura me politikat e digjitalizimit të qëndrueshëm të NMV-ve.

Qëllimi kryesor i këtij dialogu rajonal ishte zhvillimi i diskutimeve, shkëmbimi përvojave dhe i praktikave më të mira ndërmjet pjesëmarrësve në procesin e tranzicionit digjital dhe të gjelbër të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme të Ballkanit Perëndimor, në drejtim të përmbushjes së objektivave evropiane për zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version