TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli sot vendimin e shkarkimit nga detyra të gjyqtarit të Gjirokastrës, Arben Dosti.
Në njoftim për mediet, KPA bën të ditur se vendimi u mor nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë.
Ishte Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, që pas konfirmimit të tij në detyrë në dhjetor të vitit 2021, kërkoi rivlerësimin e pozicionit të gjyqtarit nga ana Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër Arben Dosti, me argumentin se ka kryer shkelje të rënda profesionale.
“Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 479, datë 03.12.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Arben Dosti”, bën të ditur KPA.
Sipas vendimit të KPA, ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall në Tiranë, sot, më datë 13.02.2025.
/a.f/r.e/
