Agjencia Telegrafike Shqiptare

Proda pret kreun e zyrës së KiE në Tiranë: Policia e Shtetit, partner i rëndësishëm në luftën ndaj diskriminimit

Kryepolici Proda pret në takim Drejtuesen e Zyrës së KiE në Shqipëri, Giulia Re

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda priti sot në një takim drejtuesen e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, Giulia Re.

Në këtë takim, Re shoqërohej nga drejtuesja e projektit “Fuqizimi i Mbrojtjes nga Diskriminimi”, Iva Çoku, i cili zbatohet në Shqipëri në kuadër të një programi të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës.

Drejtori i Përgjithshëm dhe drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes dy institucioneve që drejtojnë dhe diskutuan mbi zgjerimin e bashkëpunimit dhe trajnimin e punonjësve të Policisë në të gjithë vendin, në kuadër të projektit kundër diskriminimit.

Re e ka cilësuar Policinë e Shtetit si një partner të rëndësishëm në luftën kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes. Ajo ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur më tej Policinë e Shtetit dhe për të ofruar trajnime për punonjësit e Policisë të sektorëve të ndryshëm, nëpërmjet projektit kundër diskriminimit dhe nismës “Trajno trajnerët”.

Drejtuesja e projektit “Fuqizimi i Mbrojtjes nga Diskriminimi”, Iva Çoku e falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për bashkëpunimin e deritanishëm dhe bëri me dije se punonjësit e Policisë janë ndër përfituesit më të rëndësishëm të këtij projekti, që synon përmirësimin e mbrojtjes nga diskriminimi dhe gjuha e urrejtjes/krimet e urrejtjes.

Proda e falënderoi drejtuesen e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri dhe drejtuesen e projektit kundër diskriminimit, për ndihmën e dhënë deri tani për Policinë e Shtetit dhe për ofrimin e mundësive të trajnimit për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët gjatë punës së tyre duhet të jenë të përgatitur për të trajtuar raste ku janë të përfshirë shtetas që i përkasin minoriteteve apo grupeve të tjera vulnerabël, që janë objekt diskriminimi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version