Agjencia Telegrafike Shqiptare

Monitorimi i bimëve në serra, Elidora në ndihmë të fermerëve të Beratit


TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Elidora si pjesë e trupës së Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ndan përvojën e saj në shërbim të fermerëve të zonës dhe ofrimin e asistencës profesionale.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale në rubrikën “Profesionistët e Rinj”, momente nga monitorimi që po kryen Elidora, në një serrë të mbjellë me domate, në Berat.

“Kontributi i saj dhe i çdo profesionisti tjetër është i çmuar. Dyert e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë të hapura për të gjithë profesionistët të na bashkohen”, tha Denaj.

Ndërsa vetë Elidora tregon eksperiencën e punës së saj dhe angazhimin për të shërbyer sa më mirë në ndihmë të fermerëve dhe sektorit.

“Unë jam diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, për mbrojtjen e bimëve që në vitin 2019 dhe prej 4 vitesh jam pjesë e AKVMB për qarkun e Beratit. Një nga detyrat kryesore në sektorin tonë është monitorimi i bimëve në serra por edhe në fushë, ku bëjmë certifikimin e fidanëve dhe të produkteve për sasinë e mbetjeve të preparateve dezinfektues, ndërsa lëshojmë dhe certifikatat për eksportin e produkteve”, u shpreh Elidora.

Ajo tregoi se në serrën që po monitoron, produkti i domates duket shumë i pastër sa i takon treguesve fitosanitarë ndërsa analizat vijojnë me marrjen e mostrave dhe kontrollin e tyre në laboratorët përkatës.

“Sipas rastit këshilloj fermerët sesi duhet të veprojnë për forcimin e rregullave që garantojnë prodhim dhe sasinë e mbetjeve, brenda standardeve të cilësisë dhe sigurisë për konsum”, tha ajo. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version