TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se, mungon një palë konstruktive që duhet të jetë edhe garante e pavarësisë së gjyqësorit, por duhet të jetë njëkohësisht edhe garante e lirive, të drejtave, standardeve demokratike.
Në dëgjesën e grupit parlamentar të PS me deputeten dhe kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, Rama u shpreh se, “këtu duhet të marrim një përgjegjësi për faktin se sot në debatin publik ka vetëm dy palë, njëra që duartroket dhe brohoret sa herë që shfaqet “gijotina”. Sipas asaj pale të gjithë janë për burg, të gjithë janë për litar, të gjithë janë për t’u vrarë dhe tjetra është pala që sulmon në mënyrë banditeske organet e reja të drejtësisë dhe që shenjestron me libër shtëpie prokurorët dhe gjykatësit që bëjnë punën e tyre duke filluar nga drejtuesi i SPAK-ut, i cili ka të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin tonë për sa i përket të gjithë baltës që ka marrë dhe merr familjarisht”.
Por, shtoi Rama, “mungon një pozicion konstruktiv, mungon një palë konstruktive që duhet të jetë edhe garante e pavarësisë së gjyqësorit, por duhet të jetë njëkohësisht edhe garante e lirive, të drejtave, standardeve demokratike”.
Sepse, vijoi Rama, “përndryshe biem në kurthin e së kaluarës dhe për mua është e pakonceptueshme që kryetarja e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, pa hyrë fare në meritën e çështjes, pa diskutuar fare a ka a s’ka të drejtë akuza që e përfshin atë roman thuajse 400 faqe e merr vesh nga televizori dhe e merr vesh duke dëgjuar gazetarët specialë”.
“Se ne kemi prokurori speciale, kemi gjykatë speciale, kemi dhe ca gazetarë specialë, të cilët disponojnë sekrete hetimore, të cilët disponojnë ushqim që iu vjen nga stacioni i trenit për t’u hedhur në pazarin e madh të gjësë së gjallë. Dhe për t’u bluar pastaj nëpër ato udhëkryqet e rrugaçërisë nokturne ekran më ekran. Kjo është e papranueshme”, u shpreh Rama.
“Minimalisht kryetarja e Komisionit të Ligjeve duhet thirrur dhe duhej pyetur. Ku jemi këtu, në cilën republikë, që dikush të thotë çfarë të dojë për dikë dhe mjafton që ky i përfoluri të nxirret me emër e mbiemër në ato udhëkryqet e natës si person i dyshuar pa u pyetur, minimalisht. Po nuk është vetëm kjo. Ka shumë gjëra që nuk shkojnë, që janë një arsye për një reflektim të përgjithshëm e përbashkët të të gjithëve, sepse gjithçka është ndërtuar me mund falë vullnetit punës prokurorëve dhe gjykatësve nuk mund të shembet”, deklaroi ai
Përkundrazi, tha Rama, por përkundrazi duhet të mbrohet e forcohet duke vënë në pah të gjitha vrimat dhe të gjitha cedimet e murit të ri të drejtësisë.
/a.gj/ /j.p/
