BRUKSEL, 12 shkurt /ATSH-DPA/- Kryeministri kanadez Justin Trudeau pritet të takohet sot me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian António Costa në Bruksel për të përmirësuar marrëdhëniet me bllokun.
Takimi i Trudeau u njoftua disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pezulluan tarifat e planifikuara deri në 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika pasi të dy vendet ranë dakord për masat e reja të sigurisë kufitare.
Pas njoftimit të tarifave të SHBA-së, Trudeau po fokusohet në BE, destinacioni i dytë më i madh i Kanadasë për eksportet e mallrave dhe shërbimeve pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Takimi në Bruksel shërben për të ndihmuar në sigurimin e një të ardhmeje të fortë dhe të begatë për njerëzit në të dy anët e Atlantikut”, thuhet në një deklaratë për shtyp.
Sipas qeverisë kanadeze, tregtia midis Kanadasë dhe BE-së arriti në 157,3 miliardë dollarë kanadezë (109,8 miliardë dollarë) për mallra dhe shërbime në vitin 2023.
Pavarësisht rritjes së tregtisë gjatë viteve të fundit, marrëdhëniet tregtare midis BE-së dhe Kanadasë kanë patur edhe mosmarrëveshje.
Një marrëveshje e tregtisë së lirë hyri në fuqi përkohësisht në 2017. Megjithatë, marrëveshja ende nuk është ratifikuar nga të 27 vendet anëtare të BE-së, që do të thotë se mund të zbatohet vetëm pjesërisht.
Tema të tjera që do të diskutohen përfshijnë sigurinë transatlantike dhe mbështetjen për Ukrainën.
“Trudeau do të takohet gjithashtu me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte për të rikonfirmuar angazhimin e Kanadasë për të punuar me Aleancën për të mbështetur demokracinë, paqen dhe sigurinë”, thuhet në një deklaratë. //a.i/
