Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha: Do bëj publik çdo dokument që provon lidhjet e krimit me qeveritarët

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediet komentoi mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste si dhe fjalën e Kryeministrit Edi Rama njëherësh kryetar i PS-së, në lidhje me arrestimin e Erion Veliajt nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas Berishës, në “fjalimin anatemik të tij, të mallkimit universal, njeriu i vetëm që tregoi se ishte aleat i tij, ishte Altin Mercenari, Altin Dumani”.

“Fjala e Edi Ramës në aspekte të tjera ishte fjala e një njeriu që e di se e presin ndëshkime të rënda për krimet që ka kryer. Ai bëri gjithçka të sfumojë vjedhjen e tmerrshme të Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij. Edi Rama deklaroi se ka krijuar Republikën e Prokurorëve. Jo. Është narkodiktaturë, ata nuk janë gjë tjetër vetëm mercenarë. Se padrino, se arkitekt i kësaj është Edi Rama”, tha Berisha.

“U përpoq në fjalën e tij të mobilizonte botën e krimit kundër meje”, tha Berisha më tej.

Berisha reagoi edhe ndaj dosjes “Toyota Yaris”.

“Unë ua them shqiptarëve se në mënyrë absolute, çdo dokument që do të kem, në të cilin provohen lidhjet me krimin të këtyre qeveritarëve kriminelë dhe faqezinj, që shkelmojnë mbi besimin tuaj, mbi votën tuaj, unë do ua bëj publik”, tha Berisha.

“Sot ata mbrohen, sepse në qoftë se Altin Mercenari do vepronte, Taulant Balla do ishte në burg dhe Edi Ramës i duken normale veprimet kriminale të Taulant Ballës dhe shqetësohet nga denoncimi i Sali Berishës dhe i kërkon përgjegjësi Altinit të tij pse unë publikoj”, tha Berisha.

“Unë ruaj një proporcion në marrëdhëniet publike, unë kam strategjinë time sepse nuk kam ndërmend të okupoj të gjitha marrëdhëniet e mia publike me dosjet e krimit të tyre, jo, unë dua të merrem me qytetarët”, shtoi Berisha. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version