Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha: Bashkim i forcave politike opozitare

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “ka ardhur koha të bashkohemi me të gjitha forcat politike që ndjehen opozitare, për të shpëtuar vendin e tyre”.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se duhet të krijohet fronti më i gjerë që Shqipëria ka njohur në 32 vite.

“Ndaj dhe kjo kthesë e madhe është një ftesë për të gjithë ata të cilët duan që Shqipëria të shpëtojë nga diktatura e krimit dhe drogës në datën 11 maj. Është koha të bashkohemi me të gjitha forcat politike që ndjehen opozitare dhe duan të përballen me të keqen për të shpëtuar vendin e tyre. Është koha të bashkohemi me të gjithë faktorët, biznesin, fermerët, rinia, pensionistët në një front të gjerë që nuk e ka njohur ndonjëherë më parë Shqipëria”, tha ai.

Berisha theksoi se “në Shqipëri u godit opozita sepse qeveria e mbështetur nga Soros, ky korruptues planetar që mbjell korrupsion kudo, në Shqipëri dhe botë, donte që pasuritë kombëtare të shqiptarëve të vidheshin nga sorosianët e tij në pushtet dhe zërat që ngriheshin kundër korrupsionit të shuheshin”.

Kryetari i PD-së premtoi se “do të ndalohet me ligj veprimtaria e Fondacionit Soros në Shqipëri si një rrezik i vërtetë kombëtar”.

“Me ligj do të ndalohet bashkëpunimi i organeve shtetërore, administratës me organizata sorosiane”, shtoi ai.

Berisha foli po ashtu edhe për deklaratat e kryetarit të Komitetit Kombëtar Republikan, Cris LaCivita, i cili i bëri të qartë shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se kanë partner dhe aleat Partinë Demokratike dhe Sali Berishën.

“Ky është një zhvillim, një ogur i bardhë për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse një opozitë tjetër sorosiane do ta kishte vidhisur Shqipërinë në honet e historinë, por ju qëndruat, ne qëndruam për ato vlera që qëndron një njeri i lirë. Nuk u mposhtëm, nuk u përkulëm dhe në fund kjo betejë u fitua në SHBA dhe do të fitohet edhe në Shqipëri”, shtoi ai.

Duke folur për arrestimin e Veliajt, Berisha tha se arrestimin e tij e njoftoi para dy javësh, Arben Ahmetaj.

“Ai tha se, Edi Rama do ta arrestojë këto ditë. E tha ai, se kishte informacionet, dhe informacionet ai i ka nga zyra e Ramës, jo nga të tjerët. I gjithë ky skenar që zhvillohet është në kurriz të shqiptarëve. Qytetarët nuk ekzistojnë për Edi Ramën”, shtoi Berisha.

/m.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version