TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Konsumatorët shqiptarë kanë nevojë të kenë transparencë më të lartë dhe besim tek produktet që konsumojnë.
Përfaqësues të Bashkimit Europian kërkojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, për të vendosur një standard tjetër sa i takon sigurisë ushqimore, por edhe për të forcuar pozicionin e Shqipërisë në tregjet globale.
Lëvizja Europiane në Shqipëri prezantoi sot në Tiranë, në një takim me aktorë të fushës këtë linjë që vjen si një risi në Shqipëri në kuadër të mbrojtjes së konsumatorëve dhe sipas kërkesave të BE-së.
Laszlo Arendas, menaxher i Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në delegacionin e BE në Tiranë theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur për përafrimin e legjislacionit.
“Kemi nevojë për vendimmarrje dhe transparencë që konsumatorët të kenë besim tek ajo që blejnë. Konsumatorët kanë nevojë për më shumë informacion. Shqipëria si kandidate për në BE ka një rol të rëndësishëm për të zbatuar standardet e BE, që konsumatorët shqiptarë të gëzojnë të njëjtën mbrojtje dhe nivel besimi ashtu sikurse qytetarët e BE. Përafrimi i legjislacionit me BE, forcon pozicionin e Shqipërisë si partner i besueshëm në tregtinë globale”, tha Arendas.
Ai theksoi se disa pesticideve që janë hequr nga BE, janë hequr nga përdorimi edhe në Shqipëri.
“Ne kemi edhe një problem i cili lidhet me qarkullimin e tyre në rajon. Tek prodhimet duhet patur parasysh informimi dhe edukimi i tyre për të zbatuar kohën e eliminimit të produkteve që lënë mbetje”, theksoi Arendas.
Në funksion të rritjes së sigurisë ushqimore, në këtë takim u prezantua për konsumatorët linja e gjelbër ku mund të bëjnë ankesën dhe denoncimin e tyre në rast se konstatojnë problematika.
“Komponenti kryesor i këtij projekti është linja jeshile për konsumatorin. Është një numër ku çdo konsumator mund të telefonojë falas në kohën kur shumë prej institucioneve publike apo inspektorateve ku qytetarët duan të ankohen nuk kanë numër jeshil”, u shpreh eksperti në fushën e sigurisë ushqimore Granit Sokolaj.
Projekti synon gjithashtu forcimin e kapaciteteve të organizatave lokale të shoqërisë civile për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. /j.p/
