TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim 14-vjeçarin M. Përlleshaj me akuzën vrasje në rrethana cilësuese dhe kundër dy ose më shumë personave në lidhje me vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani, ngjarje e ndodhur tek shkolla “Fan Noli” në Tiranë.
Akuza përfshin edhe veprimet në dëm të të miturve M.C. dhe L.M.
Përfundimi i hetimeve vjen pas regjistrimit të procedimit penal për ngjarjen në 18 nëntor të vitit të kaluar.
Gjithashtu, nga ana e organit të akuzës është vendosur ndarja e akteve të këtij procedimi, të akteve që lidhen me veprën penale “Shpërdorim i detyrës” lidhur me veprimet apo mosveprimet e stafit të shkollës, të cilat janë regjistruar në një procedim tjetër.
Për këtë procedim vazhdojnë hetimet pasi, sipas prokurorisë, është e domosdoshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim individualizimin e fajësisë dhe përgjegjësive penale konkrete.
Përlleshaj kërkoi që për të të ndryshohej masa e sigurisë dhe të ishte në “arrest shtëpie”. 14-vjeçari ndodhet në institutin për të mitur në Kavajë, ndërsa edhe në muajin dhjetor 2024 ai kundërshtoi masën e sigurisë “arrest me burg”.
