Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Trump dërgon sekretarin e Thesarit, Bessent në Ukrainë për bisedime

UASHINGTON, 11 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump po dërgon sekretarin e tij të Thesarit, Scott Bessent në Ukrainë për bisedime mbi përfundimin e luftës me Rusinë.

”Bessent do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky”, shkroi sot Trump në platformën e tij në internet Truth Social duke shtuar se lufta duhet të përfundojë dhe do të ndodhë së shpejti.

“Kur Amerika është e fortë, bota është në paqe”, shtoi ai me shkronja kapitale.

Trump nuk specifikoi një orë apo datë për udhëtimin e Bessent-it.

Së fundmi, Trump e ka lidhur ndihmën e mëtejshme të SHBA-së për Ukrainën me aksesin e SHBA-së në lëndët e para të saj.

Zelensky nga ana e tij e ka bërë të qartë se ai dëshiron të tregojë mirënjohjen e tij për ndihmën perëndimore në formën e burimeve të rralla minerale.

Ukraina është mbrojtur kundër një pushtimi rus për gati tre vjet.

Të premten, Trump parashtroi mundësinë e një takimi me Zelensky në Uashington këtë javë dhe theksoi se ai nuk dëshironte të udhëtonte vetë në Ukrainë./  a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version