PARIS, 11 shkurt /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron tha sot se kishte “nevojë për rregulla” për të qeverisur inteligjencën artificiale, në një kundërshtim të dukshëm ndaj zëvendëspresidentit të SHBA-së JD Vance, i cili ka kritikuar rregulloren e tepruar.
“Ne kemi nevojë për këto rregulla që IA-ja të ecë përpara”, tha Macron në samitin për sigurinë e IA-së, në Paris – menjëherë pasi Vance mbajtin një fjalim atje.
Presidenti francez, Macron këmbënguli në nevojën për të vazhduar avancimin e qeverisjes ndërkombëtare të teknologjisë, pasi Vance kritikoi përpjekjet evropiane për rregullimin e IA-së.
Në samitin e Parisit, më shumë se 60 kompani evropiane i janë bashkuar një nisme për të avancuar zhvillimin dhe aplikimin e inteligjencës artificiale (IA) në industrinë evropiane.
Më shumë se 20 investitorë të mëdhenj ndërkombëtarë kanë caktuar 150 miliardë euro për projekte të lidhura me IA-në në Evropë gjatë pesë viteve të ardhshme.
Shumë para po investohen gjithashtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me OpenAI dhe partnerët kryesorë të teknologjisë që planifikojnë të investojnë 500 miliardë dollarë në qendrat e reja të të dhënave të IA-së në programin “Stargate”.
Samiti dyditor do të mbledhë së bashku rreth 1500 pjesëmarrës nga rreth 100 vende.
Në mesin e politikanëve që marrin pjesë këtë vit janë nënpresidenti i SHBA JD Vance, kryeministri indian Narendra Modi, kancelari gjerman Olaf Scholz.
Nga ana e teknologjisë, emrat e profilit të lartë përfshijnë shefat ekzekutivë të Microsoft, OpenAI dhe Google. //a.i/
