Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kosovë – Orav: Qeveria e re të përmbushë pritshmëritë e popullit që aspiron anëtarësimin në BE

PRISHTINË 11 shkurt/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav,  ka thënë se qeveria re duhet të përmbushë pritshmëritë e popullit, i cili aspiron të bashkohet me BE-në.

“Për ta arritur këtë, qeveria e re duhet të punojë shumë, shumë aktivisht. Detyrat e vështira duhet të bëhen. Reformat duhet të realizohen”, citohet Orav në X nga Zyra e Bashkimit Evropian për Kosovë të ketë thënë për Associated Press.

Mbrëmjen e 9 shkurtit pas mbylljes së qendrave të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi me publikimin e të dhënave mbi rezultatet preliminare.

KQZ ka numëruar 99.17 qind për qind të votave nga 2,512 qendra votimi nga gjithsej 2,533, deri në orën 19:10, sipas të cilave vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me partitë Guxo dhe Alternativa me 40.83 për qind ose 339 mijë 350 vota, transmeton KosovaPress.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.16 për qind ose 184 mijë e 040 vota, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me 17.60 për qind ose 146 mijë e 147 vota.

AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal renditet subjekti i katërt me 7.46 për qind ose 61 mijë e 968 vota.Më 9 shkurt qytetarët e Kosovës votuan për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme. Ky proces zgjedhor është konsideruar demokratik dhe i qetë.
/Kosovapress/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version