Agjencia Telegrafike Shqiptare

Koçi: Me rëndësi që drejtësia të mbetet e paanshme

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi deklaroi sot se, është me rëndësi që drejtësia të mbetet e pavarur e paanshme dhe të mos ndikohet nga politika.

Në një intervistë për “ABC News”, Koçi komentoi arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se “ai është treguar bashkëpunues dhe i hapur në marrëdhëniet me hetimin”.

Gjatë intervistës, ai u shpreh se pavarësisht kësaj situatë, fushata elektorale nuk do të preket.

“Ndryshe nga zoti Berisha, Veliaj në marrëdhëniet me hetimin është treguar një burrë i vërtetë. Ka qenë i hapur dhe bashkëpunues me të gjithë procesin hetimor. Ndryshe nga çfarë ndodhi me zotin Berisha. Edhe qëndrimi i Veliajt ka qenë bashkëpunues. Berisha e quan SPAK organizatë kriminale. Kjo nuk ka ndodhur kurrë me PS”, tha Koçi.

“Dhe tjetra, merret një masë sigurie për zonjën Xoxa, kur ajo është jashtë shtetit, dhe ajo kthehet për të respektuar një vendim të institucionit të drejtësisë. Nuk ka fare krahasime me qëndrimet agresive të Berishës”, u shpreh ai.

Koçi theksoi se, “është normale që grupi parlamentar të informohet. Le të shohim nga zhvillimet nesër. Në këtë rast mendoj që bëhet fjalë për një transparencë që nuk ka lidhje me një sekret hetimor”.

“Është me rëndësi që drejtësia të mbetet e pavarur e paanshme të mos ndikohet nga politika dhe të vazhdojë të gëzojë mbështetjen e publikut. Të mos interpretohet si me një natyrë me ndërhyrje politike”, tha ndër të tjera Koçi.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version