Agjencia Telegrafike Shqiptare

Indeksi i korrupsionit, Shqipëria përmirësohet në renditjen e Transparency International

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/- Shqipëria është përmirësuar ndjeshëm në renditjen e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, publikuar nga Transparency International. Vendi ynë është rritur me 5 pikë për vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, ndërsa në total numëron 42 pikë, nga 100 që janë pikët maksimale.

Në Shqipëri vlerësohen përmirësimet në sistemin e drejtësisë, teksa raporti shkruan se prokuroria dhe gjykatat e specializuara kundër korrupsionit (SPAK) kanë fituar besimin e qytetarëve pasi kanë dënuar ish-ministrat, anëtarët e Parlamentit dhe kryetarët e bashkive. “SPAK vazhdon të hetojë një ish-president, ish-kryeministër dhe zyrtarë të tjerë publikë të nivelit të lartë”, thuhet në raport.

Një përmirësim të ndjeshëm në këtë renditje ka bërë edhe Kosova, e cila është rritur me 11 pikë, duke arritur një total prej 44 pikësh.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit mat perceptimin e korrupsionit të sektorit publik, sipas ekspertëve dhe biznesmenëve. Rezultati i çdo vendi është një kombinim i të paktën 3 burimeve të të dhënave të nxjerra nga 13 sondazhe dhe vlerësime të ndryshme.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version