Agjencia Telegrafike Shqiptare

Fuqizimi i grave në uniformë, drejt barazisë në sektorët e sigurisë

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Dogana Shqiptare iu bashkua Aleancës së Grave në Uniformë, nismë e British Embassy Tirana, duke marrë pjesë në tre seminare frymëzuese për punonjëset e agjencive ligjzbatuese nën uniformë, organizuar nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, në bashkëpunim me WeWomen Albania.

Të mbajtura në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, këto seminare u ndoqën edhe nga koleget e Policisë së Shtetit të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Tema kryesore e tyre ishte fuqizimi i grave në uniformë drejt barazisë në të gjithë sektorët e sigurisë në Shqipëri, duke edukuar dhe fuqizuar ato për të shkëlqyer në rolet e tyre profesionale.

Administrata Doganore Shqiptare u përfaqësua nga specialiste me eksperiencë disa vjeçare të cilat në fund të trajnimeve u pajisën edhe me certifikata në aftësi thelbësore si, “Komunikimi Efektiv” apo “Aftësitë e Prezantimit”.

“Aleanca e grave në uniformë” është nismë e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shqipëri në bashkëpunim me Doganën Shqiptare, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Drejtësisë. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version