TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Ditën e sotme është mbledhur kryesia e Partisë Demokratike. Kryedemokrati gjatë fjalës së tij në mbledhje kërkoi që çdo kandidat për deputet duke filluar që nga sot të regjistrojë 300 emigrantë.
Berisha tha se “nuk ishim të përgatitur për një fushatë në Shqipëri dhe planetare, por gjykoj se, ambientimi me kërkesat e fushatës u bë në shpejtësi”.
“E vërteta është se, si promotorë të këtij procesi që kemi qenë që nga viti 2013, shqiptarët jashtë vendit po faktojnë çdo ditë se besimin e tyre e kanë te PD”, theksoi Berisha.
Sipas Berishës, “jemi në fazën pothuaj përfundimtare të këtij procesi në emigracion dhe diasporë, ndaj të shtohet kërkesa që çdo kandidat për deputet, duke filluar nga dita e sotme të ketë si detyrë të regjistrojë 300 emigrantë”.
“Kandidatët janë të udhëzuar të përdorin të gjitha mundësitë që kanë, por një këshillë e imja është, në arsyetimin tim është që rruga më e sigurt për regjistrimin e tyre është puna në blloqe dhe lagjet e qyteteve dhe fshatrave tona. Gjetja e tyre, lidhja telefonike, inkurajimi i tyre, nuk përjashtohen fare takimet jashtë”, tha Berisha.
Berisha shtoi më tej se “secili kandidat tani, ka të drejtë të zgjedhë vet formën më të sigurt dhe më të suksesshme. Por çdo kandidat duhet të bëjë gjithçka për garantimin e 300 emigrantëve të regjistruar”.
“Kjo, do të ishte një investim shumë i madh nga ana e kandidatit dhe e partisë për fitoren e ardhshme”, tha Berisha. /j.p/
