Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vengu: Shqipëria e vendosur të forcojë asetet e FA në shërbim të NATO-s

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ “Qeveria shqiptare është e vendosur të forcojë asetet e Forcave të Armatosura në shërbim të NATO-s, duke e çuar Bazën Ajrore të Kuçovës në një nivel të ri operacional dhe strategjik, u shpreh sot ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë një vizite në këtë bazë.

Vengu theksoi se, “investimet në infrastrukturë, modernizim dhe trajnime po e kthejnë këtë bazë në një pikë kyçe për mbrojtjen dhe sigurinë rajonale”.

Ministri Vengu nënvizoi se, “brenda pak javësh, përfundon ndërtimi i infrastrukturës për mirëmbajtjen e dronëve, një kapacitet i ri që rrit ndjeshëm efikasitetin e bazës”.

“Rikonstruksioni i hapësirave stërvitore tashmë është finalizuar, duke garantuar kushte optimale për stafin e angazhuar 24/7 në operacione dhe mirëmbajtje”, shtoi Vengu.

Ai u shpreh se, baza e armatimit dhe furnizimit është tashmë në standarde moderne, duke siguruar mbështetje logjistike të nivelit më të lartë për flotën ajrore.

“Ky investim strategjik i qeverisë shqiptare është vetëm fillimi. Modernizimi i mëtejshëm i Forcës Ajrore mbetet një prioritet për të ardhmen e sigurisë kombëtare dhe angazhimeve tona në NATO”, u shpreh ministri Vengu.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version