TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Komisioni i Sigurisë diskutoi sot projektligjin për Agjencinë e Mbikëqyrjes në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale. Prezantimi i projektligjit u bë nga zëvendësministri i Drejtësisë, Klajd Karameta, i cili tha se qëllimi kryesor i projektligjit është reformimi i shërbimit të kontrollit të brendshëm të burgjeve duke zgjeruar fushën e aktivitetit të tij.
“Projektligji synon të përcaktojë misionin, statusin e Agjencisë së Mbikëqyrjes të sistemit të ekzekutimit të vendimeve, karrierës, të drejtave, detyrave dhe përgjegjësive të punonjësve të agjencisë. Iniciativa ligjore ka të bëjë me përcaktimin e saktë të misionit, rregullimin e statusit juridik të shërbimit dhe ankesave në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale”, tha ai.
Sipas zëvendësministrit të Drejtësisë, me këtë projektligj zgjerohet fusha e misionit të shërbimit nëpërmjet garantimit dhe zbatimit të ligjit, ndërsa garantohet mbrojtja nga veprimtaria e mundshme kriminale nga çdo punonjës, pavarësisht funksionit.
“Synojmë një zgjerim të objektit të shërbimit duke përfshirë trajtimin dhe shqyrtimin e ankesave të paraburgosurve, të dënuarve, qytetarëve duke rritur transparencën dhe duke ruajtur integritetin e punonjësve. Ofrojmë një synim të garancive financiare më të mira për të garantuar integritetin e punonjësve operacionalë të shërbimit”, cilësoi Karameta.
“Vëmendje e posaçme do t’i kushtohet trajtimit të ankesave dhe kërkesave për informacion nga ana e publikut për ngjarje të trajtuara në shkelje të ligjit, për sjellje joprofesionale gjatë ushtrimit të detyrës. Agjencia do të garantojë kushtet teknike dhe administrative për depozitimin e ankesave dhe informacionet e publikut dhe subjekteve të tjera, si edhe do të pranojë dhe trajtojë ankesat e punonjësve të strukturave duke përfshirë edhe rastet kur ato publikohen në media”, shton ai.
Sipas Karametës, objektivat që synohen të arrihen janë parandalim, zbulim dhe dokumentim paraprak i veprimtarisë korruptive, lufta ndaj korrupsionit dhe informalitetit në agjencisë së ekzekutimit të vendimeve penale, minimizim i rrezikshmërisë të shkaktimit të dëmit dhe informalitetit, forcim i rendit dhe sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, harmonizim i parashikimit të kodit të drejtësisë penale për të mitur, përmirësim të strukturës dhe shërbimit, si edhe krijim i një sistemi më efikas menaxhimi dhe monitorimi në trajtimin e ankesave duke forcuar besimin e publikut në strukturat e ekzekutimit të vendimeve penale.
“Risitë e projektligjit janë integrimi drejt teorisë së shërbimit të provës dhe degëve territoriale të saj, si institucionet që do të mbikëqyren nga agjencia, duke shtuar kontrollin që do të shtohen nga kjo e fundit në të gjithë sistemin e ekzekutimit të veprave penale qoftë me heqje lirie apo dënime alternative. Agjencia krijohet si strukturë e veçantë e Ministrisë së Drejtësisë në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit, e cila ka kompetencë informative, gjurmuese, inspektuese dhe hetimore procedurale duke mos qenë më pjesë e strukturës së burgjeve”, thekson Karameta.
Relatori i këtij deputeti, deputeti i Partisë Socialiste, Bardhyl Kollçaku u shpreh në dakordësi në parim për këtë projektligj që sipas tij ka dy veçori: “Për herë të parë në këtë sistem, futet edhe shërbimi i provës që është një hallkë shumë e rëndësishme në burgje. Spektri që do të mbulojë agjencia do të jetë akoma më i gjerë pas miratimit të këtij projektligji. Një trajtim dhe vlerësim më të mirë për të gjithë punonjësit e kësaj agjencie që do të diferencohen në punonjës operacionalë, ndihmës etj. Në buxhet, do të kemi një shtesë dhe trajtim më të mirë për të rekrutuar njerëz me njohuritë dhe ekspertizën e duhur. Agjencia do të ketë tre shtylla të saj, parandaluese dhe zbuluese, hetimi duke marrë funksionet e policisë gjyqësore dhe zgjidhje e adresim të shumë ankesave dhe kërkesave”, u shpreh Kollçaku.
Deputeti i PS nënvizoi se masa financiare e parashikuar për këtë projektligj është 4.9 milionë lekë në vit me një strukturë personeli prej 70 personash, ndërsa sipas tij mund të ketë edhe shtesa në buxhet, pasi impakti i projektligjit pritet të jetë më i madh.
Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani u shpreh në parim kundër për këtë projektligj që, sipas tij, ndërhyn në kompetencat e Prokurorisë dhe Gjykatës.
“Me këtë ligj, ju i jepni kompetenca për të kontrolluar punonjësit e burgjeve, atë që është në burg, atë që është në shërbimin e provës dhe kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën. Mund të keni marrë kompetenca të organeve të tjera, Prokurorisë, Policisë Gjyqësore, madje keni shkelur të drejtat e privatësisë”, pohoi Dogjani.
Deputeti i opozitës, Enkelejd Alibeaj gjithashtu u shpreh kundër kundër këtij projektligji, pasi sipas tij kësaj agjencie i jepen kompetenca gjyqësore.
“Kjo agjenci mund të kryejë veprimtari gjurmuese-operative, veprimtari që mund të kryejë një efektiv i policisë që përdoren në gjyq, mund të kryejë përgjime, kontrolle në të dhënat personale dhe ky është një problem shumë i madh. Tendenca për të shtrirë metastazat qeveritare në oborrin e drejtësisë është problem institucional”, tha ai. /j.p/
