Agjencia Telegrafike Shqiptare

Hoxha prezanton prefektin e ri të Kukësit: Angazhim në përmirësimin e shërbimeve publike

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha prezantoi sot në Kukës prefektin e ri të qarkut, Dritan Baji.

Baji zëvendëson në këtë detyrë Agron Gecën.

“Ky ndryshim është një hap më tej për të garantuar vazhdimësinë dhe vijimin e projekteve tona në rajonin verior”, u shpreh ministri Hoxha.

Ministri kërkoi angazhim në përmirësimin e shërbimeve publike, në rritjen dhe forcimin e investimeve infrastrukturore lokale, në sigurimin e një mjedisi dhe kushteve të përmirësuara për banorët, si dhe që prefekti të punojë ngushtë me të gjitha palët e aktorët, për të adresuar nevojat e qytetarëve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës për të sjellë zhvillime të dukshme në rajon.

Teksa zgjedhjet e 11 majit po afrojnë, ministri Hoxha theksoi rëndësinë e sigurimit të kushteve që procesi elektoral i radhës të zhvillohet i qetë dhe transparent.

“Garantimi i barazisë së votës, posaçërisht votës së diasporës për herë të parë në histori, është prioritet i punës sonë”, tha Hoxha, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë, të regjistrohen në platformën e KQZ deri në 4 mars, të verifikojnë të dhënat e tyre dhe të sigurohen që janë gati për të votuar më 11 maj.

“Regjistrimi i diasporës është një hap i rëndësishëm për të garantuar, që zëri i çdo shqiptari të dëgjohet”, u shpreh ai.

Prefekti Baji e cilësoi si përgjegjësi dhe privilegj emërimin në këtë detyrë, teksa shprehu angazhimin për të vijuar më tej punën e kryer deri tani në shërbim të qytetarëve dhe komunitetit. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version