Agjencia Telegrafike Shqiptare

Drejtoresha e ATSH, Zhupa pret ambasadorin e ri egjiptian, Shawky

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ – Ambasadori i ri i Egjiptit në Tiranë, Hassan Shawky zhvilloi sot paradite një vizitë kortezie në ambientet e Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Ambasadori Shawky u prit nga drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa, e cila pasi e uroi për detyrën  e re, e njohu më pas me aktivitetin mediatik të agjencisë.

Ndërkohë, ambasadori egjiptian bëri një pasqyrë të marrëdhënieve të ngushta historike mes Egjiptit dhe Shqipërisë duke vlerësuar sidomos rolin e shqiptarëve në shekullin XIX në Egjipt, posaçërisht të Muhammad Ali, i njohur edhe si themeluesi i Egjiptit modern.

Ai u shpreh i impresionuar nga zhvillimi i turizmit në Shqipëri duke theksuar se: “tashmë është një konkurrent i denjë mes vendeve më të njohura në këtë fushë”.

Megjithatë, ambasadori Shawky ishte i interesuar që vendi i tij të njihej më mirë në Shqipëri, edhe për faktin e zhvillimit ekonomik të Republikës Arabe të Egjiptit.

Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa falënderoi ambasadorin Shawky për fjalët e mira për Shqipërinë dhe agjencinë që ajo drejton duke theksuar se ”bashkëpunimi me agjencinë egjiptiane të lajmeve MENA nëpërmjet shkëmbimit profesional të lajmeve apo edhe nismave të ndryshme do të ishte mënyra më e mirë që si qytetarët egjiptianë ashtu edhe ata shqiptarë të njihnin më mirë dy vendet që lagen nga Mesdheu”.

Ambasadori egjiptian ra dakord për rëndësinë e veçantë që ATSH dhe MENA kanë në promovimin e vlerave të dy popujve dhe premtoi ndihmën e tij maksimale për realizimin e një qëllimi të tillë.

ATSH dhe MENA kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre më 1 prill 2021, ndërkohë që janë anëtare me të drejta të plota të Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve AMAN./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version