TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Në shkollën 9-vjeçare “Andrea Stefani” në kryeqytet është hapur kabinet i ri dentar një investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në kuadër të Programit Shëndetit në Shkolla në bashkëpunim me Save the Children.
Ministrja Albana Koçiu deklaroi se MSHMS po vijon të fuqizojë programet për shëndetin në shkolla duke rritur vëmendjen ndaj kujdesit shëndetësor për fëmijët.
Ajo theksoi se kabineti i ri dentar, me kushte moderne do të ofrojë vizita falas për rreth 900 fëmijë të shkollave të zonës së Laprakës dhe Astirit.
“Në Qarkun e Tiranës kemi 62 njësi dentare të vendosura në 260 shkolla duke bërë një shpërndarje të barabartë dhe të unifikuar për t’u kujdesur edhe për shkollat përreth të cilat nuk e kanë një kabinet dentar, por stomatologu i cili është vendosur në kabinetin dentar që kemi ngritur këtu në shkollën “Andrea Stefani” për t’i shërbyer edhe shkollave përreth, por ajo çfarë është më e rëndësishmja për t’i shërbyer edhe dy komuniteteve goxha në numër, siç është Njësisë 11 dhe zona e Astirit. Ndërkohë që shkolla ofron edhe programin tjetër atë të depistimit të shikimit, si dhe këshilla për ushqimin e shëndetshëm,” theksoi ministrja.
Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë vuri në dukje se “stina e dimrit e ka ngarkesën e vet edhe sa i përket virozave të gripit, dhe për këtë arsye kemi bërë këshilla të vazhdueshme që duhet të vaksinohen, sidomos fëmijët dhe të moshuarit duhet të marrin vaksinën e gripit”.
“Ka një ritëm të mirë sa i përket vaksinimit, diku te 76% e popullatës. Janë vaksinuar ato grupe që ne i kemi përcaktuar si “grupe risku” për t’u vaksinuar,” deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Në total janë 155 kabinete në 1159 shkolla në rang vendi që ofrojnë vizita falas për nxënësit në identifikimin e hershëm të patologjive orale, dëmtimeve të dhëmbëve, parandalimin dhe edukimin shëndetësor në shkolla.
/a.f/r.e/
