Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Problematika e korrupsionit nuk zgjidhet vetëm me anën represive të shtetit

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se prokurimet publike janë një pikë ku mund të shihet progresi i jashtëzakonshëm që është bërë në aspektin e luftës kundër korrupsionit, nga ana e modernizimit.

“Jo nga ana e luftës direkte, që është një çështje e drejtësisë, por nga ana e modernizimit, sepse shumëkush, për fat të keq edhe shumë miq tanë ndërkombëtarë, janë përgjithësisht të anës perëndimore, të botës tonë demokratike, besojnë se korrupsioni, që është një trashëgimi jo e lehtë e vendeve si i yni, ilaçin e tij ka “kap, arresto, dëno dhe vazhdo”. Jo!”, u shpreh kryeministri në konferencën e mbajtur sot në Tiranë për prezantimin e raportit të OESC/SIGMA.

Kjo, vuri në dukje Rama, është vetëm njëra anë.

“Por, ana tjetër dhe në këndvështrimin tim ajo më e vështira dhe më e rëndësishmja, është modernizimi i gjithë sistemeve. Nëse nuk modernizohen sistemet, nuk ka shans që problematika e korrupsionit të zgjidhet vetëm me anën represive të shtetit. Duhet sistemet tona të qeverisjes, sistemet tona të administrimit të jenë të tilla që të mos e mundësojnë korrupsionin,” deklaroi ai.

Kryeministri solli në vëmendje se nuk është në ADN-në e askujt korrupsioni dhe as ndershmëria, por se janë sistemet ato që e bëjnë të vështirë korrupsionin.

“Gjermanët nuk janë nga natyra të pakorruptueshëm, nuk e kanë në ADN që janë të ndershëm, por kanë një sistem shtetëror që e bën shumë të vështirë. E kam thënë me kohë shembullin shqiptar në Gjermani që, deri përpara disa vjetësh të paktën, ishte kjo që: të hipi në makinë dhe të ndezim makinën pa vendosur rripin e sigurimit nuk ka. Në Shqipëri kishte punonjës të Ambasadës gjermane që i jepnin makinës pa rrip sigurimi. Pra, nuk është personi, është sistemi dhe është gjithë mjedisi që e bën kështu ose ashtu. Po të marrësh punonjës të administratës shqiptare nga një strukturë që ka problematika me korrupsionin dhe ku ata të jenë të afektuar dhe t’i çosh në Gjermani nuk korruptohen. Më sillni mua disa gjermanë t’i çoj diku në një zyrë, ku akoma ne e dimë që kemi problematika të tilla, dhe do t’i shohim pas 40 ditësh, kur të kalojnë ato 40 ditët e tundimeve të Krishtit”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri vlerësoi raportin e SIGMA-s dhe shprehu besimin se është bërë një transformim i madh. Sipas tij, këtë e tregojnë të gjitha llojet e të dhënave, pavarësisht se perceptimi është krejt tjetër.

“Është shumë gjë e madhe për ne që SIGMA të vlerësojë Shqipërinë në krye për prokurimet publike. Unë e besoj shumë fort që ne kemi bërë një transformim të madh dhe këtë e tregojnë të gjitha llojet e të dhënave, pavarësisht se në këtë rast, perceptimi është krejt tjetër. Mirëpo, tek perceptimi dua t’i them diçka mikut tonë të SIGMA-s: 80% është prapë një shifër jo e keqe, pra 80% në Shqipëri thonë se: këtu është korrupsion, etj. Sepse në Greqi janë nja 96% që e thonë, në bazë të Eurobarometrit, në Portugali janë nja 92%. Nuk e di sa vende të BE-së ishin me perceptimin mbi 80%,” nënvizoi Rama.

Sipas tij, kjo është çmenduri. Por, theksoi ai, në këtë kohë kur shëndeti mendor i përgjithshëm është shumë i kërcënuar nga çmenduria e rrjeteve sociale, çdo gjë mund të dëgjohet, dhe përgjithësisht, ato që janë më të pabesueshmet bëhen edhe më tërheqëse dhe përsëriten më shpesh.

“Siç thoshte dikush që, ndjesë që po e përmend emrin këtu, që ishte ministri i propagandës së Hitlerit: Nëse do ta gënjesh një popull, bëja gënjeshtrën sa më të madhe dhe përsëritja sa më shpesh. Kështu funksionoi asokohe për të ndërtuar pastaj figurën djallëzore të hebrenjve etj.,” u shpreh Kryeministri.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version