Agjencia Telegrafike Shqiptare

PL: Masa konkrete për sipërmarrjen dhe zhvillimin e bizneseve

TIRANË, 4 shkurt /ATSHT/ Sekretari i Partisë së Lirisë për Sipërmarrjen, Fllohe Vojka në një deklaratë sot për mediet tha se sipërmarrja dhe bizneset në Shqipëri janë përballur me plot pengesa nga qeveria, si “korrupsioni, burokracia apo edhe politikat fiskale”.

Gjatë fjalës së tij, Vojka prezantoi disa masa konkrete që parashikon Programi i Partisë së Lirisë për mbështetjen dhe fuqizimin e sipërmarrjes dhe zhvillimin e bizneseve.

Një ndër masat sipas Vojkës është “përmirësimi i klimës së biznesit”.

Një tjetër pikë, tha Vojka, është nxitja e investimeve, që synon ndër të tjera “tërheqjen e kompanive ndërkombëtare për të vendosur selitë e tyre në Shqipëri”.

“Mbështetje për Sipërmarrësit: Programe për nxitjen e start-up-eve, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë; Kredi të buta dhe mekanizma të tjerë financiarë për ndihmën e sipërmarrësve të rinj,” u shpreh më tej Vojka.

Po ashtu, një tjetër masë është “reforma fiskale”, ku ndër të tjera synon uljen e barrës fiskale për bizneset dhe ofrimi i një taksimi të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

Masë tjetër sipas Vojkës është “forcimi i konkurrencës: Rritja e rolit dhe kompetencave të Autoritetit të Konkurrencës për mbrojtjen e ekonomisë së tregut; Ndalimi i monopolizimit dhe oligopolizimit në treg”.

Vojka shtoi se të tjera masa konkrete që parashikon programi i PL-së janë: Mbështetja për sektorët prioritarë; Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore; Inovacioni dhe teknologjia; Mbështetje për gratë sipërmarrëse; si dhe Forcimi i sigurisë juridike.

“Këto masa synojnë të krijojnë një mjedis më të favorshëm për sipërmarrjen dhe zhvillimin e bizneseve në Shqipëri, duke nxitur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës,” u shpreh Vojka.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version