Agjencia Telegrafike Shqiptare

Largimi i shqiptarëve, Rama: Kush thotë se mund ta ndalojë menjëherë, gënjen

TIRANË, 4 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama foli sot për çështjen e largimit të shqiptarëve jashtë vendit, ndërsa u shpreh se ky është një fenomen historik që nuk e ka zanafillën me qeverisjen e Partisë Socialiste.

Duke iu përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale, Rama u shpreh se kushdo që thotë se mund ta ndalë këtë proces, gënjen, ose nuk di se çfarë thotë.

“Trendi i largimit të shqiptarëve nuk e ka zanafillën në qeverisjen tonë dhe as nuk është në stadin kur kthesa e dukshme të fillojë. Mjafton të shohësh çfarë ka ndodhur me vendet e tjera për të kuptuar se kthesa e dukshme, momenti kur ka më shumë që kthehen sesa largohen është momenti i anëtarësimit dhe balancimit të plotë të vendit në kornizën e përgjithshme të veprimtarisë së shteteve europiane,” tha Rama.

Po ashtu, kryeministri kujtoi se shqiptarët kanë qenë të mbyllur për mbi 50 vite dhe janë më të justifikuarit për të kërkuar fatin dhe diçka më të mirë.

“Por, nga ana tjetër, siç ka shqiptarë që largohen, ka edhe që kthehen, pa diskutim. Përgjigjja dhe zgjidhja nuk është një çelës magjik, por është punë e përditshme dhe siç po ndodh që gjithmonë e më shumë kthehen në Shqipëri për të bërë pushime një herë e dy herë në vit; siç po ndodh që po kthehen për të investuar në fshat apo për të blerë shtëpi e për të parë të ardhmen në qytet. Ky është një trend që do kohën e vetë,” tha Rama.

Sipas tij, “nuk ka asnjë lloj çelësi tjetër magjik”.

“Të tjerat janë thjesht propagandë, që kush do mund ta pëlqejë, kush do mund ta përqafojë. Por, kush thotë se ka një mundësi për ta ndaluar me frena dore këtë trend historik, besoj se thjesht dhe vetëm ose nuk di çfarë thotë, ose gënjen, sepse kjo nuk ka ndodhur kurrë në histori, për asnjë vend dhe asnjë arsye,” tha Rama.

Sipas tij, “të gjithë kanë pasur fazën e vet të emigracionit dhe fazat e tyre të balancimit”.

“Po të shikojmë sot edhe vendet europiane të Mesdheut kanë të njëjtin fenomen që lidhet me globalizmin dhe nevojën e njerëzve për të lëvizur”, shtoi kryeministri.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version