Agjencia Telegrafike Shqiptare

Arratisja e Daut Lazes, Policia: Shpërblimin 10 000 euro për çdo informacion të vlefshëm

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Daut Laze, 49-vjeç është arratisur nga burgu i Shënkollit në Lezhë.

Drejtoria e Burgjeve njofton se “më datë 4 shkurt 2025, në orët e para të mëngjesit, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në IEVP Lezhë, është konstatuar mungesa e pacientit Daut Hysen Laze, i lindur më 30 gusht 1976 në Çorovodë dhe banues në Tiranë”.

“Ai ishte arrestuar më 16 nëntor 2021. Me vendimin nr. 528, akti datë 4 nëntor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte vendosur ndaj tij masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, njofton më tej Drejtoria e Burgjeve.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve “pas kontrollit të menjëhershëm nga stafi i policisë në institucion, është vërejtur se ky shtetas me mjekim të detyruar ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor për tu larguar nga rrethimi i institucionit”.

“Aktualisht, po analizohen pamjet e kamerave për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.

“Për ngjarjen është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) dhe po punohet intensivisht në bashkëpunim me strukturat e policisë për kapjen e tij”, njofton Drejtoria e Burgjeve.

Policia e Shtetit deklaron se ka vendosur shpërblimin prej 10 000 euro për çdo informacion që çon në gjetjen e shtetasit Daut Hysen Laze, i cili paraqet rrezikshmëri shoqërore. Çdo qytetar mund të kontaktojë në numrin pa pagesë 112 të Policisë së Shtetit ose në numrin 068 200 29 61, të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

“Më datë 4 shkurt 2025, në orët e para të mëngjesit, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në Institucionin e Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë, është konstatuar mungesa e pacientit Daut Hysen Laze, 49 vjeç, i lindur më 30 gusht 1976 në Çorovodë dhe banues në Tiranë. Ky shtetas ishte arrestuar më 16 nëntor 2021 për veprën penale “Dhuna në familje” dhe me vendimin Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i kishte caktuar masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”,

Policia sqaron se shtetasi Daut Laze është arrestuar në vitin 2021, për veprën penale “Dhuna në familje”, dhe në vitin 2024, Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën “Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor”, sqaron policia.

Sipas policisë, nga kontrollet e menjëhershme të kryera në institucion është vërejtur se ky shtetas ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme, të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor, për t’u larguar nga rrethimi i institucionit. Po analizohen pamjet e kamerave për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.
Menjëherë pas njoftimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, shërbimet e Policisë së Shtetit kanë organizuar punën dhe po kryejnë kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

49-vjeçari paraqet rrezikshmëri shoqërore, prandaj kërkojmë ndihmën e qytetarëve, për të njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, për çdo të dhënë në lidhje me vendndodhjen e tij. /a.g/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version