Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vrasja e Ramazan Matajt në Shkodër, Apeli lë në burg dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi sot të lërë në burg dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj që akuzohen për vrasjen e Ramazan Matajt.

Nga aktet e ndodhura në dosje rezulton se, më datë 05.01.2025, rreth orës 07:15 në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, u mor njoftim se, në fshatin Dragoç, njësia administrative Postribë, Shkodër, në një automjet tip “Benz” gjendej një person i vrarë.

Të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale janë dy vëllezërit, shtetasit me iniciale A. H dhe K. A.

Mbi kërkesën e Prokurorisë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim me iniciale A. H., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe personit nën hetim me iniciale K. H., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Lidhur sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr. 32 (47), datë 10.01.2025, ka vendosur vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim A. H., i kryer nga ana e policisë gjyqësore ne datë 07.01.2025, ora 13:00, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Caktimin ndaj personit nën hetim A. H., masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim K. H., i kryer nga ana e policisë gjyqësore ne datë 07.01.2025, ora 13:00, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Caktimin ndaj personit nën hetim K. H., masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga personi nën hetim me iniciale K. H., i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me gjyqtar Fatri Islamajn, vendosi miratimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version