TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se po vijon puna për pastrimin e 6 kilometrave të kolektorit të hidrovorit Vilu në njësinë administrative Velipojë, që përmirëson kullimin e mbi 2000 hektarëve tokë bujqësore.
Denaj bëri të ditur se kjo ndërhyrje siguron mbrojtje nga përmbytjet të tokave bujqësore dhe ndihmon në rritjen e rendimentit të cilësisë së prodhimeve bujqësore.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të investojë 2,9 miliardë lekë në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, ose një buxhet prej 13% më të lartë, krahasuar me vitin e kaluar.
Ky buxhet do të përdoret për përmirësimin e sistemeve të ujitjes dhe përfundimin e rehabilitimit të disa projekteve në rreth 16 mijë hektarë tokë bujqësore.
Sipërfaqja ujitëse e rehabilituar nga 135 mijë ha në 2015, ka arritur në rreth 265 mijë ha, ose është dyfishuar, duke përfaqësuar rreth 75% të sipërfaqes potencialisht të ujitshme për tokat bujqësore.
/a.f/r.e/
