Agjencia Telegrafike Shqiptare

Afreske të mrekullueshme në kishën e ishullit të Maligradit në Prespë

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë risolli në vëmendje afresket e mrekullueshme të Kishës së Shën Marisë në ishullin e Maligradit.

Kjo kishë konsiderohet një gur i çmuar i Prespës por dhe gjithë Shqipërisë. Ajo gjendet në liqenin e Prespës, në ishullin e Maligradit, që prej shekullit të 14-të dhe është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore.

Së fundmi, kisha është restauruar falë iniciativës ndërkufitare SMARTFORYOU2, në bashkëpunim të ngushtë me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Projekti për revitalizimin e kishës përfshiu restaurimin dhe konservimin e saj brenda dhe jashtë, rehabilitimin e shtegut që të çon drejt saj, dhe ruajtjen e afreskeve të mrekullueshme murale që i japin jetë mureve të shenjtë.

Ndriçimi i ri i kishës dhe shtegut krijon një atmosferë magjike që përforcon bukurinë e këtij vendi të shenjtë.

Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version