Agjencia Telegrafike Shqiptare

Udhëzimi për primaret, jep dorëheqjen kryetarja e degës së PD-së në Sarandë

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Kryetarja e degës së Partisë Demokratike në Sarandë Manjola Nikollo ka dhënë dorëheqjen nga ky post, për të marrë pjesë në procesin e Primareve, nga ku më pas do të garojë për deputete.

“Bazuar në udhëzimin e kryesisë së PDSH-së, funksioni i Kryetarit të degës bie ndesh me procesin e Primareve dhe për këtë arsye duhet të dorëhiqem, kërkoj nga ju me përulësi të pranoni vendimin për të dhënë dorëheqjen nga detyra’, shkruan Nikollo.

Më tej Nikollo thekson se kandidatura për deputete, nuk ka qenë kurrë qëllim në vetvete.

“Qëllimi im ka qenë gjithnjë kontributi për Partinë Demokratike pavarësisht pozicionit. Por mendoj se në këto momente janë pjekur kushtet, që përfaqësimi im, i joni së bashku, të kalojë në këtë stad të ri. Nuk preferoj dhe nuk kam preferuar kurrë emërime, ndaj do të garoj sërish, ashtu si kam bërë gjithnjë, duke filluar nga seksioni, kryesia e deri tek drejtimi i degës”, shkruan Nikollo.

Nikollo kërkoi mbështetjen e çdo anëtari për garën e Primareve.

“Ju kërkoj me përulje, që në garën e Primareve të gjykojmë ftohtë e me maturi, të veprojmë si demokratë e të sillemi me qytetari. Nuk është garë emrash, por është garë dinjiteti. Është gara e të gjithë ne, që t’i ofrojmë çdo votuesi mundësinë për të zgjedhur qytetarin e mirë, intelektualin, politikan e drejtë, por mbi të gjitha përfaqësuesin e tyre të devotshëm. Jam e bindur se përfaqësoj këto cilësi, e mbi këtë bazë do të kërkoj edhe mbështetjen tuaj”, shkruan më tej Nikollo.

Kujtojmë se Partia Demokratike nisi dje hapat e parë për procesin e primareve, ku u ka kërkuar kryetarëve të degëve të PD-së se nëse duan të marrin pjesë në primare e të garojnë për deputet, duhet të japin dorëheqjen nga posti që kanë në drejtimin e degës së partisë. Dorëheqja duhet të depozitohet brenda ditës së dielë, datë 26 janar.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version