TIRANË, 24 janar/ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për të mos u paraqitur para prokurorëve të hënën e 3 shkurtit në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Sipas medieve, kanë qenë avokatët e Berishës që kanë paraqitur kërkesën për mosparaqitjen e kreut të PD-së para prokurorëve në datën 3 me arsyen se Berisha do të jetë në një udhëtim jashtë vendit dhe nuk do të mund të paraqitet në SPAK siç i është caktuar në masën e dhënë.
Berisha pritet që të udhëtojë drejt Gjermanisë, për të zhvilluar një takim me mbështetësit e tij.
Kreu i Partisë Demokratike është në hetim nga SPAK në lidhje me çështjen e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa gjykata e Apelit konfirmoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. /j.p/
